Publikimi i përgjimeve, Balla: S’ndodh në asnjë vend, kur procesi është në hetim

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi mbrëmjen e sotme se përgjimet e bëra publike lidhur me çështjen “Babale 1” nuk ndodh në asnjë vend, ndërsa procesi është ende në hetim.

Përballë një paneli gazetarësh, Balla tha se ditën e sotme në Prokurori ka bërë Kallëzim Penal ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

“Në asnjë vend nuk do dilnin këto përgjime në publik, sepse jo më larg se në Itali, nuk ndodh kurrë kjo gjë. PD ka dalë në konferencë për shtyp për 3 ditë rresht dhe ka thënë që Taulant Balla ka negociuar me ketë njeri dhe ka dhënë para. Unë po them se kam kallëzuar Bashën dhe Salianjin në Prokurori për shpifje”, – tha Balla.

Ndërkaq, ai ka ripërsëritur faktin që sipas tij, nuk e ka takuar kurrë dhe nuk e njeh Alizotin.

“Unë po ju them sot atë që kam thënë edhe në Prokurori. Unë nuk kam takuar këtë person, nuk e njoh dhe nuk e kam takuar këtë person. Unë sot kam bërë kallëzim penal, sepse mbi bazën e saj që lexuat ju, pra që Basha dhe Salianji më kanë akuzuar dhe ka dalë që ky person nga Librazhdi jam unë. Nuk jam jam unë ai person dhe këtë e deklaroj me përgjegjësi të plotë”, – shpjegoi Balla.

/z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.