“Miss Globe 2018”- Berati më i bukur se kurrë

TIRANË, 17 tetor/ATSH/- Berati do të presë sot konkursin e bukurisë “Miss Globe 2018”, në Pallatin e Kulturës, të qytetit të një mbi një dritareve.

Në kuadër të këtij konkursi gjatë qëndrimit në Berat, vajzat e “Miss Glob 2018” dhe stafi i “Deliart Association”, kryesuar nga Presidenti i Miss Globe, Petri Bozo, vizituan paraditen e sotme ambientet e Bashkisë së Beratit, ku u pritën në takim nga kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj.

Pasi u uroi mirëseardhjen vajzave konkurrente, kryetari Sinaj u shpreh se ndihej tepër i lumtur për vizitën e tyre, duke theksuar se Berati këto dy ditë ka qenë më i bukur se kurrë.

Gjithashtu ai i ftoi vajzat të mos largohen pa parë dhe prekur nga afër atraksionet më të bukura dhe vlerat më të çmuara që qyteti i gurtë mbart në vetvete.

Vajzat e Miss Globe 2018 gjatë kësaj ceremonie sollën pjesë të traditës dhe të kulturës së vendeve të tyre, nëpërmjet disa dhuratave simbolike që u shkëmbyen gjatë këtij takimi.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.