“Bashkëqeverisja” mobilizon Shërbimin Social Shtetëror, qytetarja përfiton pagesën e paaftësisë fizike

TIRANË, 17 tetor /ATSH- I. Vata/ – Falë platformës së bashkëqeverisjes një zonjë nga Vlora, fitoi statusin paraplegjik që përfshin pagesën e paaftësisë, pagesën e kujdestarisë, shërbimin për paketën higjieno-sanitare si dhe kompensimin e energjisë elektrike.

Koordinatorja e platformës së bashkëqeverisjes solli rastin e një qytetareje gjatë takimit të përjavshëm me Kryeministrin Edi Rama. Qytetarja nuk kishte gjetur zgjidhje përsa i përket pensionit të invaliditetit si e sëmurë paraplegjike.

Duke treguar rastin, koordinatorja tha se qytetari iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes në emër të zonjës së tij dhe menjëherë Shërbimi Social Shtetëror, ndoqi rastin në të gjithë procedurën ligjore dhe më në fund, komisioni e vlerësoi rastin e zonjës si fituese të statusit paraplegjik.

“Sot ky status i ofron zonjës pagesën e paaftësisë, pagesën kujdestarisë, shërbimin ndaj paketës higjieno-sanitare si dhe kompensimin e energjisë elektrike”, – tha ajo.

Qytetari Andrea Karriqi që i ishte drejtuar platformës në emër të zonjës së tij, u shpreh mirënjohës për zgjidhjen e problemit.

“Unë e kam shtruar dy herë këtë problem dhe nuk m’u zgjidh, herën tjetër iu drejtova platformës së bashkëqeverisjes dhe këtu e gjeta zgjidhjen dhe unë jam i kënaqur nga ju, Kryeministër”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.