ATHINË – Cipras pranon dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Kotzias

ATHINË, 17 tetor /ATSH-ANA/ – Kryeministri grek, Aleksis Cipras pranoi sot dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias.

Cipras falenderoi ngrohtësisht Kotzias për kontributin e tij në qeveri gjatë më shumë se tri viteve.

Kryeministri do të marrë tani përsipër edhe funksionin e ministrit të Jashtëm për përfundimin me sukses të Marrëveshjes së Prespës.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias dha sot dorëheqjen pas një dite të tensionuar në mbledhjen e qeverisë, ku debatoi ashpër me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kammenos lidhur me Marrëveshjen e Prespës, shkruan ndërkohë ”Kathimerini” në faqen online.

“Kotzias ishte ndjerë i zhgënjyer dhe i zemëruar lidhur me faktin që kryeministri Aleksis Cipras nuk e kishte mbështetur gjatë debateve me Kammenosin, aleat i vogël i qeverisë greke”, thekson gazeta greke.

Kammenos e ka akuzuar Kotziasin edhe për keqmenaxhim të fondeve sekrete të Ministrisë së Jashtme greke./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.