TIRANË,16 tetor /ATSH/ – ”Tri gra dhe Misugi”, dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue, vjen premierë për publikun në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tri personazhe, aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët vjen nën interpretimin e aktorëve Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.
Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor – regjisor me kompleksitetin e saj e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues.
Kjo shfaqje vjen e dramatizuar nga Anxhela Çikopano e Suela Bako, në sallën “Gëte” në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 18-19-21-25-26-27-28 tetor, për publikun artdashës kryeqytetas. /a.a/j.p/
