Shtresat në nevojë, bashkia Librazhd rimburson 70% të vlerës së qirasë

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ – Përmirësimi i kushteve të banimit është një nga prioritetet e bashkisë së Librazhdit.

Për të dytin vit radhazi në këtë bashki ka nisur programi: “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitete të pafavorizuara në bashkinë Librazhd”.

Ky program në qendër të vëmendjes ka shtresat më në nevojë, duke ofruar bonuset e strehimit, ku në bashkëpunim me ministrinë përkatëse u ka mundësuar familjeve të pastreha rimbursimin nga 50% deri në 70 % të vlerës së qirasë mujore.

Gjithashtu bashkia Librazhd ka qenë aplikuese dhe përfituese edhe e programit të përmirësimit dhe rikonstruksionit të banesave ekzistuese të komuniteteve të pafavorizuara.

Duke marrë në konsideratë vlerën e fondit të përfituar, bashkia Librazhd renditet e treta nga 21 bashkitë që morën pjesë.

Programi i përmirësimit të banesave ekzistuese përfshin kryesisht rikonstruksion dhe ndërtimin e çative, suvatime, shtrime pllakash, ndërrim të dyerve dhe dritareve etj.

Nga ky fond kanë përfituar 64 familje në bashkinë Librazhd, duke bërë të mundur që banesat e tyre të përmirësohen dhe periudha e dimrit mos t’i gjejë të papërgatitur nga amortizimi i çative, apo era që futet nga dyert dhe dritaret e vjetra.
Në krahasim me vitin 2017 fondi për përmirësimin e banesave të komuniteteve të pafavorizuara është 4-fishuar.

Ndërkohë po bëjmë gati projektet me qëllim që në vitin 2019 të kemi sërish një numër sa më të madh familjesh përfituese në nevojë. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.