Mbyllja e hetimeve për Ramën, Basha: Kësaj drejtësie do t’i vijë fundi

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj refuzimit që Prokuroria ka bërë kundrejt hetimit ndaj Kryeministrit të vendit.

Kështu, përmes reagimit të disa minutave më parë, Basha ka thënë se Rama ka mashtruar për ekspertizën private të audiopërgjimit.

“Prokuroria ka refuzuar të hapë hetimet për Edi Ramën, edhe pse ai mashtroi publikisht se kishte bërë ekspertizë private të audiopërgjimit, me qëllim të qartë që të mbronte një kriminel dhe për të ndikuar dhe kërcënuar organet e Drejtësisë që të mos hetonin. Gjithashtu, sot Prokuroria ka refuzuar të marrë nën hetim Ardi Veliun dhe Taulant Ballën. Po sot, Prokuroria ka lëshuar përmes medieve të pushtetit lajmin se Saimir Tahiri e ka të ligjshëm gjithë luksin në të cilin jeton”, ka thënë Basha. 

Më tej, kreu i opozitës ka thënë se në Shqipëri funksionojnë dy lloje drejtësish.

“Është e njëjta Prokurori që burgosi kuksianët, që burgos përditë njerëzit e thjeshtë për shkeljet më të lehta, që heton gazetarët kritikë dhe kundërshtarët politikë.
Në Shqipëri janë vendosur dy drejtësi: një për Edi Ramën dhe kriminelët dhe një tjetër për popullin. Edi Rama dhe kriminelët janë mbi ligjin, kurse mbi popullin ushtrohet dhunë, duke abuzuar ligjin. Kësaj “drejtësie” do t’i vijë fundi shumë shpejt”, ka përfunduar Basha. 

z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.