TIRANË, 16 tetor /ATSH/- Drejtorja e misionit të Bankës Botërore (BB) në Shqipëri, Maryam Salim, u shpreh sot në Tiranë se, projekti Programi “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” synon të kthejë investimet në funksion të zhvillimit të turizmit, bujqësisë edhe të ekonomisë në Shqipërinë.
E pranishme në lançimin e këtij programi, që financohet nga qeveria shqiptare me një hua prej 50 milionë USD nga BB, Salim tha se, ky projekt pritet të japë rezultate pozitive në përfshirjen më të madhe sociale të komuniteteve lokale që arrijnë në rreth 80 000 persona.
Ndërkohë që më shumë se 40% e kësaj popullsie dhe gratë do të shohin rritje në të ardhura, konsum, një qasje më të mirë dhe më të sigurt në shërbimet shëndetësore dhe arsimore, si edhe një mundësi punësimi.
“Ky është një projekt i rëndësishëm që do të kontribuojë në përmirësimin e qasjes në qendrat e përzgjedhura të bujqësisë dhe turizmit si dhe kapacitetin e bashkive për të menaxhuar asetet e tyre rrugore”, tha Salim.
Ndërsa vuri theksin se, projekti do të forcojë menaxhimin e investimeve publike në sektorin e transportit dhe do të përmirësojë kapacitetin e vendit për t’i dhënë përparësi investimeve bazuar në kritere të qarta dhe transparente.
“Projekti i Lidhjeve të Rrugëve Rajonale që po lançojmë sot është ndërtuar mbi dy shtylla: reduktimi i kohës dhe kostos së udhëtimit për shkak të rrugëve më të mira dhe më të shpejta dhe lidhja e shtuar me qendrat turistike dhe qasja e prodhuesve bujqësorë drejt tregjeve dhe qendrave agropërpunuese”, tha ajo.
Kohët e fundit, këtij programi i është bashkuar edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Dëshiroj të përmend disa aspekte specifike dhe inovative që projekti do të mbështesë, duke renditur rehabilitimin fleksibël të klimës dhe përmirësimin e sigurisë në rreth 55 km rrugë rajonale, në tre deri në katër bashki, nga të cilat Shkodra, Fieri dhe Pogradeci tashmë janë konfirmuar.
“Këto aktivitete përfshijnë aspektet e parandalimit të përmbytjeve, auditimit të sigurisë dhe masave të sigurisë si korsitë e reja të biçikletave, trotuaret, sinjalistikat rrugore, do të mbështesë përgatitjen e strategjive të mirëmbajtjes dhe planifikimin shumëvjeçar të investimeve në nivel bashkiak; dhe së fundmi, zbatimin e programeve të zhvillimit rural, të mbështetur nga Qeveria dhe partnerët e tjerë të zhvillimit, duke përfshirë edhe programin “100 fshatra”, i miratuar kohët e fundit”, deklaroi Salim. /a.k/ /e.xh/ /a.g/
