Buxheti 2017, mbështeti rritjen ekonomike më të lartë që nga viti 2008

Buxheti 2017, mbështeti rritjen ekonomike më të lartë që nga viti 2008

Buxheti 2017, Ahmetaj: Mbështeti rritjen ekonomike më të lartë që nga viti 2008https://ata.gov.al/2018/10/16/buxheti-2017-ahmetaj-mbeshteti-rritjen-ekonomike-me-te-larte-qe-nga-viti-2008/“Qeveria nuk krijoi borxh të ri. Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 16 Tetor 2018

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj tha sot se buxheti i vitit 2017 mbështeti ritmet pozitive dhe përshpejtuese të rritjes ekonomike në vend në nivelin 3.8% në fund të vitin 2017, kundrejt nivelit 3.4% që ishte një vit më parë.

I pranishëm në Komisionin e Kuvendit gjatë diskutimit të projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2017”, ministri tha se ekonomia shënoi rritjen vjetore më të lartë që nga viti 2008.

Sipas tij, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë konsumi dhe investimet.

“Konsumi total u rrit me rreth 2.8% në terma realë me një kontribut prej rreth 2.5 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa konsumi privat u rrit me rreth 2.9% në terma realë. Gjithashtu, formimi i kapitalit fiks bruto (investimet totale) gjatë vitit 2017 u rrit me rreth 7.7% duke dhënë një kontribut prej rreth 2 pikë përqindje në rritjen ekonomike të PBB për vitin 2017. Ndërkohë që eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën më tepër se sa importet”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë, ndonëse viti 2017 ishte elektoral dhe pati edhe një specifikë, qeverinë teknike, që e bënë të ishte test real për financat publike dhe perspektivën e qëndrueshmërisë së tyre.

“Qeveria nuk krijoi borxh të ri. Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind”, deklaroi ministri Ahmetaj. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.