Vlorë, përkujtohet 74-vjetori i Çlirimit të qytetit

TIRANË, 15 tetor/ATSH/- 15 tetori, shënon 74-vjetorin e Çlirimit të qytetit të Vlorës nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Kjo ngjarje përbën një nga pikat kulmore në zhvillimet e Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe një nga momentet më të shkëlqyera në historinë shqiptare.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, drejtues të tjerë të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të dëshmorëve të rënë në luftë, qytetarë etj.

Pas vendosjes së kurorave me lule, të pranishmit folën për rëndësinë e çlirimit të qytetit, duke e cilësuar atë rrjedhojë të përpjekjeve, luftës dhe sakrificave deri në vetëflijim, të bijve dhe bijave më të mira, që u ngritën me armë në dorë kundër pushtuesit dhe veglave të tij.

Ata u shprehën se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, është një moment shumë i shënuar i historisë sonë kombëtare, që nuk duhet të zbehet.

Kryetari i bashkisë, Leli u shpreh se “të respektojmë çdo gjë që këta djem e vajza bënë për kombin, atdheun, për Vlorën, duke marrë mësim nga sakrifica e tyre, nga ajo ndjenjë që këta njerëz të japin jetën, pa asnjë kusht. Të shikojmë për të organizuar më mirë të ardhmen dhe për këtë kemi për të bërë shumë akoma”.

Ai bëri të ditur se po punon fort që të garantojë që vitin tjetër të kemi varreza të rikonstruktuara të Dëshmorëve të Atdheut.

Vlora është përcaktuar me kohë si djep i historisë sonë kombëtare dhe në këto 100 vitet e fundit, ajo vuri vulën e saj në data të tilla si 28 Nëntori i lavdishëm i Pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të parë kombëtar shqiptar. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.