“Rrajët lëvizin” mbyll festivalin “MetroFest2”

TIRANË,15 tetor /ATSH/ – Nata e fundit e festivalit “MetroFest2” është mbyllur mbrëmjen e djeshme me shfaqjen “Rrajët lëvizin” të Ernest Koliqit dhe regji të Rozi Kostanit, në teatrin “Metropol”.

Shfaqja erdhi për publikun nën interpretimin e Kristina Doda, Marjus Dhrami, Ketjona Pecnikaj, Rozi Kostani, Bruno Shllaku, Pamela Taraboshi.

Nëpërmjet kësaj vepre erdhi për publikun Shkodra e viteve ’70, e nxjerrë nga arkiva nga vepra e Ernest Koliqit.

“Rrajët lëvizin” solli për publikun jetën e palumtur bashkëshortore për shkak të botëve të ndryshme e kjo na pasqyrohet nëpërmjet dialogut të Rozës me të motrën Lina. Pavarësisht natyrës së paqtë të Linës, një vajzë fetare dhe solare, Roza vetëprocedon në ankesa kundrejt të shoqit sapo përmendet emri i tij. Por pavarësisht marrëdhënieve interesante nëpërmjet personazheve, Koliqi e ka ruajtur këtë ditë për diçka më të madhe… Rikthimin e rrajve të vjetra.

Iza, personazhi i përshkruar si hyjnore, e paprekshme, e paarritshme nga vetë personazhet femra, akoma pa hyrë në skenë krijon lëkundje tek karakteret e tjera.
Ajo është e bija e pronarit të shtëpisë, poetit të dëbuar padrejtësisht prej vendit të tij.

Drama biografike erdhi për publikun në tri dimensione kohore. Iza me sytë e të atit na rikthen panoramën e dikurshme të shtëpisë duke ftuar të bëhen pjesë edhe banorët e tjerë të saj. “Pashko gjen vetveten… një njeri që mund të shohë e bëri pjesë të një bote tjetër, atë botë që ai e kish’ mbulur me një perde, që sot ra aq leht nën tingullin e poezive që Iza solli nga e shkuara”. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.