Pas 10 viteve pastrohet kanali kullues në Thumanë

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ – Në njësinë administrative Thumanë po punohet intensivisht për pastrimin e kanaleve kulluese, të cilat kishin 10 vjet pa u pastruar.

Prefekti qarkut të Durrësit, Roland Nasto, tha sot për ATSH-në se “aktualisht janë pastruar rreth 5 km dhe kanë ngelur dhe 1.2 km”.

“Punimet po kryhen nga ndërmarrja e Ujitjes dhe Kullimit, e cila po bën një punë të mirë dhe në realizimin e planit vjetor. Ky kanal përmbledh disa fshatra në këtë zonë”, theksoi Nasto.

Sipas tij, puna për pastrimin e këtij ka nisur në fillim të tetorit, ndërsa pritet të përfundojë për një javë.

Prefekti Nasto ngriti shqetësimin se “problem ngelet pastrimi i një pjese të lumit Droj në derdhjen e tij në Ishëm, i cili është i papastruar prej shumë kohësh”.

Ai u shpreh se ky kanal duhet të pastrohet, pasi këto zona gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit përmbyten nga reshjet e shiut.

Më parë Ndërmarrja e Ujitjes dhe Kullimit ka pastruar edhe kanalin në Njësinë Administrative Bubq.

Pastrimi i këtyre kanaleve ndihmon banorët, pasi uji i shirave nuk përmbyt tokat bujqësore dhe zonat përreth banesave të tyre. Po ashtu pastrimi i tyre shërben gjithashtu për të tërhequr më mirë hidrovori ujërat e tepërta. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.