Basha – Policisë: Përballuni me krimin

TIRANË, 15 tetor /ATSH- I. Vata/ Kryetari i Parisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të përballet me krimin.

Në deklaratën për mediet, Basha tha sot se te veprimi dhe mosveprimi i Policisë së Shtetit varet stabiliteti i vendit.

“Veproni tani, jo vetëm sepse kështu jua kërkon ligji dhe Kushtetuta, por vetëdijesohuni se nga veprimi dhe mosveprimi juaj sot varet jo thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit, por stabiliteti i vendit dhe paqja sociale”, – tha ai.

Duke iu drejtuar Policisë së Shteti, Basha u bëri thirrje “policëve të ndershëm që të mos rreshtohen përpara kryeministrit, me kokën e ulur duke gëlltitur se si ai shan, fyen, kërcënon ata mes jush që denoncojnë krimin në qeveri. Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë, mos lejoni që të trajtoheni shërbëtorë të krimit. Bashkojuni kolegëve tuaj kurajozë që përballen njësoj me krimin dhe kriminelët me kostum që ju drejtojnë”.

“Partia Demokratike dhe opozita nuk do tërhiqen asnjë çast dhe para asnjë gjëje nga beteja jonë jetike për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi”, – tha në fund tha Basha. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.