Liga e Kombeve, Holanda i lë gjermanët të fundit në grup

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ – Holanda mundi mbrëmjen e të shtunës Gjermaninë me rezultatin e thellë 3-0. Pas kësaj disfate Gjermania renditet e fundit në grupin A, në Ligën e Kombeve.

Tashmë pozita e trajnerit Joakim Lëv është e lëkundur, tifozët dhe opinioni në Gjermani kanë humbur besimin tek ai.

Ndërkohë, Lëv deklaroi pas ndeshjes se skuadra e tij vuan mungesën e besimit dhe si rrjedhojë nuk po arrin të shprehë aftësitë e saj.

“Nuk është vetëm çështja e shpërdorimit të rasteve. Ishim mirë deri në momentin kur kundërshtari na ndëshkoi. Pas këtij momenti mund të shihje një mungesë besimi te skuadra, e cila nuk arriti të reagonte. Të shpërfytyrohesh ashtu në 10 minutat e fundit, duke pësuar dy gola në 6 minuta, nuk është e pranueshme”

Ndeshja e radhës për Gjermaninë do të jetë ajo ndaj Francës në Paris. Një test i vështirë për “pancerat” që duhet të lënë pas krahëve këtë humbje të turpshme ndaj “tulipanëve”. o/l/.j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.