UEFA fillon hetimin për sfidën “Cervena Zvezda”- “PSG”

TIRANË, 13 tetor/ATSH-A Fortuzi/- Federata Europiane e Futbollit ka nisur hetimet lidhur me rezultatin e ndeshjes mes  “Cervena Zvezdas” e “Paris Saint German”, e vlefshme për ndeshjet e dyta të fazës së grupeve, pasi dyshohet se ndeshja ka qenë e trukuar.

Në sfidën e fituar me rezultatin 6-1 nga “PSG”, një drejtues i skuadrës ka vendosur shifrën e konsiderueshme prej 5 milionë eurosh bast që skuadra e tij humbet me 5 gola diferencë.  Një bast i guximshëm ky që nuk do ta vinte askush nëse nuk do të kishte siguri të plotë.

Ky drejtues në fjalë ka tentuar të kontaktojë edhe presidentin e “PSG”, Naser Al Khelaifi por nuk ia ka arritur qëllimit. Klubi serb përmes një komunikate për mediet ka mohuar faktin, ndërsa ka shtuar se nuk ka pasur asnjë anormali në rezultat. Lajmi u bë i ditur nga “L’Equipe”, i cili raportoi se sipas një dialogu sekret mes UEFA-s dhe autoriteteve franceze, thuhet se janë luajtur shuma të mëdha për fitoren e “PSG”-së me 5 gola diferencë. Mësohet se shuma e fituar është rreth 10 milionë euro./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.