Presidenca hap procesin për zgjedhjen e kandidatit për Kryetar të KLSH-së

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta njoftoi sot hapjen e procesit për zgjedhjen e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit për emërimin në pozicionin kushtetues të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i Bujar Leskaj, si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, përfundon më datë 22 dhjetor 2018. Presidenca garanton vullnetin për realizimin e një procesi sa më objektiv e transparent për përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion Kushtetues.

Presidenti i Republikës fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 20 të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, dhe legjislacionin e brendshëm, që të marrë pjesë në këtë proces të hapur publik.

Të interesuarit duhet të paraqesin pranë institucionit të Presidencës dokumentacionin e kërkuar, ndërkohë që afati i paraqitjes së shprehjes së interesit, do të jetë duke filluar nga data 12 tetor 2018 deri më datë 30 tetor 2018.

Pas administrimit të dokumentacionit, emrat e personave që kanë shprehur interesin dhe CV-të e tyre do të bëhen publike në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.