Kompania ”Shell Albania” bursa për të rinjtë që do studiojnë naftën dhe gazin

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – Kompania Shell Upstream Albania, organizoi sot në sallën e Galerisë së Arteve “Edward Lear” një aktivitet ku u promovuan nxënësit fitues nga Programi i Bursave Shell 2018 – 2019.

Programi i Bursave Shell përqëndrohet në zonën ku kjo kompani operon, duke mbështetur me bursa 5 studentë që dëshirojnë të studiojnë në profilet STEM dhe lëndët në lidhje me naftën dhe gazin.

Nëpërmjet kësaj burse studentët përfitojnë 4000 USD në vit, shumë e cila mbulon tarifat e studimit të tyre.

Në këtë aktivitet morën pjesë, përfaqësuesi i SHELL Upstream Albania, Rohan D‘Souza, Zëvendësministri i Energjisë, Enis Aliko, Prefekti i Qarkut të Beratit, Harilla Dafa, Kryetarja e Urës Vajgurore, Juljana Memaj, përfaqësues të institucioneve vendore dhe nxënës të shkollave.

Përfaqësuesi i Shell, Rohan D‘Souza, falenderoi pushtetin vendor për bashkëpunimin dhe theksoi se Kompania Shell do të investojë jo vetëm në infrastrukturën e zonave ku ajo operon, por edhe në shërbime sociale, sidomos te të rinjtë, në fushën e arsimit dhe të dijes. Investimi më i madh është investimi në burime njerëzore, sepse, nëse nuk ke njerëzit e duhur për të menaxhuar si duhet burimet financiare, atëherë do të mungojnë rezultatet e pritshme. ‘’Shpresoj që studentët që mbështeten me bursa nga Kompania Shell të arrijnë rezultate maksimale dhe të kenë një karrierë të suksesshme, pikërisht këtu në qytetin e tyre’’. o/l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.