Bylykbashi: Prokuroria vepron me telekomandën e pushtetit

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Partia Demokratike reagoi sot, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, për të hetuar atë që ajo e cilëson, “një prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se, “i njëjti prokuror po heton sot kallëzimin që ka bërë Agron Xhafaj për “kallëzim të rremë”, që në fakt nuk është krim i rëndë”.‎

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thënë sot se nuk ka kompetencë të hetojë krimin e rëndë të një prej bandave më të rrezikshme të Elbasanit, e cila në shtator të vitit 2017, pothuaj vrau punonjës policie në një ngjarje të ndodhur në hyrje të Tregut Ushqimor të Elbasanit. Prokurori Gentian Osmani, me anë të një shkrese zyrtare të drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka njoftuar se nuk ka kompetencë për të hetuar këtë bandë”, – deklaroi Bylykbashi.

Por, sipas tij, “i njëjti prokuror që shpall sot moskompetencë për hetimin e krimeve të rënda të bandave të Elbasanit, keqpërdor Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të hetuar, tërësisht jashtë kompetencës së Krimeve të Renda, kallëzimin që ka bërë Agron Xhafaj për “kallëzim të rremë””.‎

“Ky është produkti i reformës Rama-Xhafaj, një prokurori që vepron me telekomandën e pushtetit”, – shprehet Bylykbashi. /m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.