Rama-Bashës: Ti gënjen edhe veten, nuk do rrijë mbuluar ajo pjesa që dimë të dy

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ “Ti edhe veten e gënjen si askush, po mos shpreso kot se do rrijë mbuluar ajo pjesa që dimë të dy”, iu drejtua sot Kryeministri Edi Rama, Kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Kryeministri reagoi pas deklaratës së sotme të Bashës, i cili deklaroi se “në Shqipëri është instaluar një shtet privat që funksion jashtë Kushtetutës, jashtë ligjit, apo çdo mbikëqyrjeje apo kontrolli”.

“E di Artist, keq puna! Po ca nga sikleti se u kape me prasin në dorë këtë herë, e ca nga vesi që del me shpirtin dhe ty as nuk të rrihet pa vazhduar të sajosh e të gënjesh. E di, o xhan, që ti edhe veten e gënjen si askush, po mos shpreso kot se do rrijë mbuluar ajo pjesa që dimë të dy”, i drejtohet Kryeministri Rama, Kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Po ashtu, Rama i kërkon Bashës që të lërë rehat vajzën (Xhisiela Maloku) dhe të shikojë kamerat e komisariatit.

“Ah, dhe diçka me rëndësi: Po me vajzën çfarë dreqin ke që s’e le rehat? Ajo peng i krimit? Pengu juaj po, padiskutim! Lëshojeni vajzën e bëhuni një herë të vetme burra dhe përballuni me shpifjen tuaj! Ik merri kamerat e komisariatit e shikoji bashkë me lehaqeniet e kazanit tënd”, i drejtohet Rama, Bashës./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.