Padia e Ballës për shpifje, Basha nuk paraqitet në gjyq

TIRANË, 10 tetor/ATSH-Maela Marini/ Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua sot seanca gjyqësore për padinë e ngritur për shpifje nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kjo është seanca e dytë që zhvillohet, ndërsa kreu i PD-së nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokatët e tij, Ivi kaso dhe Gazment Bardhi.

Seanca drejtohej nga gjyqtari Gerdi Hoxha dhe vijoi me mbledhjen e fakteve për akuzën e Ballës ndaj Bashës, lidhur me 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Toyota Auris.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha akuzoi kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla si garantuesin e mbërritjes së 3.4 milionë eurove që u sekuestruan në 2 automjete “Toyota Auris” në Portin e Durrësit.

Balla depozitoi një padi për shpifje ndaj kreut të PD-së dhe kjo është seanca e dytë që palët përballen në gjykatë.

Seanca e parë u zhvillua në Gjykatën e Krimeve të Rënda në 10 korrik 2018, por kjo gjykatë shpalli mos kompetencën dhe çështja i kaloi Gjykatës së Tiranës. Edhe në seancën e parë gjyqësore, kreu i PD-së mungoi në gjyq dhe u përfaqësua nga avokatët e tij. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.