“Avokati i Popullit”, aplikacion online për ankesat e qytetarëve

TIRANË, 10 tetor/ATSH/-Institucioni i Avokatit të Popullit paraqiti sot për publikun aplikacionin për telefonat inteligjentë.

Aplikacioni “Avokati i Popullit” do të jetë veçanërisht i dobishëm për qytetarët që jetojnë jashtë Tiranës dhe ata që nuk zotërojnë një kompjuter. Këta qytetarë e qytetare do të kenë mundësi të dërgojnë ankesa lehtësisht nëpërmjet telefonit të tyre celular dhe të ndjekin ecurinë e ankesës së tyre. Aplikacioni u bë i mundur falë mbështetjes së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar(USAID) nëpërmjet projektit “Transparenca në Sistemin shëndetësor” nisur në vitin 2017.

“Aplikacioni “Avokati i Popullit” është një mjet i thjeshtë dhe i shpejtë për qytetarët për të dërguar ankesa rreth shkeljeve të të drejtave të tyre, cilësisë së shërbimeve qeveritare që ata marrin dhe abuzimet e politikave dhe burime publike ku ata janë dëshmitarë”, -tha Erinda Ballanca.

Në emër të USAID Shqipëri, Dennis Wesner, Oficer i përgjithshëm i Zhvillimit nënvizoi rolin që institucionet mbikëqyrëse kanë në luftën ndaj korrupsionit.

“Institucionet e pavaruara dhe funksionale janë kushti i parë për suksesin e luftës ndaj korrupsionit pasi ato kanë të njëjtat qëllime për përmirësimin e transparencës, forcimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe mbrojtjen e burimeve publike nga shpërdorimi. Ne besojmë që ky aplikacion do të jetë një mjet i rëndësishëm për të nxjerrë në pah punën e rëndësishme të Avokatit të Popullit, një institucion që e kemi mbështetur përgjatë gjithë vitit nëpërmjet projektit Transparenca në Sistemin Shëndetësor”, -deklaroi ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit do të nisë një fushatë informimi rreth aplikacionit në të gjithë vendi,  për të rritur ndërgegjësimin e qytetarëve për përdorimin e tij në dërgimin e ankesave.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.