10 tetori -Dita e shëndetit mendor iu kushtohet të rinjve

TIRANË, 10 tetor/ATSH/-Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar 10 tetorin si Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.

Në këtë ditë bëhen përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e shëndetit mendor, si dhe në mbështetje të shëndetit mendor. Në mbarë botën, 10-20% e fëmijëve dhe adoleshentëve përjetojnë probleme të shëndetit mendor.

Gjysma e problemeve të shëndetit mendor fillon në moshën 14-vjeçare. Nëse nuk trajtohen, këto probleme ndikojnë në zhvillimin fizik dhe mendor, në arritjet dhe mundësitë për të përmbushur të gjithë potencialin individual.

Slogani i këtij viti “Shëndeti mendor për të rinjtë në një botë në ndryshim”, synon të theksojë nevojën e të rinjve për të folur dhe ndarë problemet e tyre, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm.

Të rinjtë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës së tyre në internet duke u përballur me krime kibernetike, bullizëm kibernetik dhe video-lojëra të dhunshme. Po ashtu po rriten shifrat e të rinjve që kryejnë vetëvrasje, që abuzojnë me substanca apo që paragjykohen për shkak të orientimit të ndryshëm seksual. Mosha e re përbën moshën ku mund shfaqen probleme serioze të shëndetit mendor, dhe në jo pak raste mungon informacioni lidhur me shëndetin mendor.

Pikërisht për këtë arsye, slogani i vendosur këtë vit synon të theksojë nevojën e të rinjve për të folur dhe ndarë problemet e tyre, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.