Thaçi: Në Konferencën e Frankofonisë do ta diskutoj mundësinë e korrigjimit të kufijve

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Dje dhe sot, kisha kënaqësinë të takoj njerëz të botës akademike, të biznesit, të rinj, studentë, ish-përfaqësues të UÇPMB-së, të diasporës shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, kryesisht nga Lugina e Preshevës.

Bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave tona. Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Me arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi, përparësitë e Kosovës do të jenë: Njohja reciproke, njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet anëtare të BE-së, rrugëtimi i sigurt për në NATO dhe BE, si dhe anëtarësimi në OKB.

Të gjithë bashkëbiseduesve u premtova, gjë e cila do të konfirmohet, se në të gjitha takimet e mia në Konferencën e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, do ta diskutoj mundësinë e korrigjimit të kufijve, me mundësi reale për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”./KosovaPress/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.