Shqipëria me pjesëmarrjen më të lartë në forcat e punës në rajon

Shqipëria me pjesëmarrjen më të lartë në forcat e punës në rajon

“Shqipëria është një nga vendet e rajonit që ka pjesëmarrjen më të lartë në forcat e punës. Krahasuar me vitin 2013, kur në nivel kombëtar pjesëmarrja në forcën e punës ka qenë 57.9%, aktualisht pjesëmarrja në Shqipëri ka arritur në nivelin 68%", u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, në seancën dëgjimore përballë Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 9 Tetor 2018

TIRANË, 9 tetor /ATSH – I. Vata/ – “Shqipëria është një nga vendet e rajonit që ka pjesëmarrjen më të lartë në forcat e punës. Krahasuar me vitin 2013, kur në nivel kombëtar pjesëmarrja në forcën e punës ka qenë 57.9%, aktualisht pjesëmarrja në Shqipëri ka arritur në nivelin 68%”, u shpreh zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen, në seancën dëgjimore përballë Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Duke folur për barazinë gjinore, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Sorensen u shpreh se “përsa i përket barazisë gjinore, kemi një hendek gjinor, pjesëmarrja e grave në forcat e punës është 18% më pak, sesa pjesëmarrja e burrave. Normal, kemi një diferencë në shkallën e pjesëmarrjes në vend, përsa i përket grupmoshave. Ata që janë në moshën primare të punësimit 30-64 vjeç kanë pjesëmarrjen e punës në masën 80%, ndërsa janë të rinjtë, ata që kanë një shkallë më të ulët punësimi”.

Duke folur për shkallën e papunësisë në vend, Sorensen tha se ajo ka qenë në një rënie të vazhdueshme.

“Aktualisht në tremujorin e fundit shkalla e papunësisë ka arritur në nivelin 12.4% për grupmoshën 15+. Ndërsa për të rinjtë, kemi nivelin më të ulët të papunësisë të të rinjve ndër vite dhe aktualisht është në nivelin 22.6%”.

Duke iu referuar grupmoshave Sorensen shprehet se “nëse ne shohim shkallën e papunësisë në nivelin 30-64 vite, ajo është më e ulta dhe thuajse ka arritur në nivelin njëshifror, duke arritur në masën 10%. Për sa i përket shkallës së punësimit në vend, femrat kanë një shkallë më të ulët se sa meshkujt, megjithatë është shumë e rëndësishme se në nivel kombëtar kemi një shkallë punësimi në masën 59.2% dhe sigurisht është në nivelet më të larta në rajon. Po ashtu duhet theksuar se hendeku gjinor është në masën 14%”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.