SHBA-Shqipëri, përpjekje për largimin e fëmijëve nga droga

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ – Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po punojnë së bashku për t’i mbajtur fëmijët larg drogës. Gjatë javës së parë të tetorit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Tiranë mbështeti Koalicionet Kundër Drogës të Komuniteteve Amerikane në Shkodër dhe Tiranë (distrikti 10) në trajnimet fillestare për krijimin e komuniteteve lokale kundër drogës.

Sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, pjesëmarrësit përfshinin anëtarë nga sektorë të ndryshëm të komunitetit, si të rinjtë, forcat ligjzbatuese, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Arsimit, shkollat private dhe grupet fetare. Dy trajnues nga Koalicionet Kundër Drogës të Komuniteteve Amerikane, Dorothy Chaney dhe David Aguilar, punuan me pjesëmarrësit e të dy qyteteve për të nxjerrë në pah vështirësitë në Shqipëri dhe për të përforcuar njohuritë mbi mënyrën se si ngritja e koalicioneve përqendrohet në mjedis dhe te njerëzit e ndikuar nga mjedisi. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.