TIRANË, 9 tetor/ATSH-Maela Marini/ Programi për oficerët e sigurisë në shkolla, do të shtrihet në 150 shkollat e vendit, duke dhënë një bazë të re sigurie dhe rregulli në shkolla.
Në një konferencë për mediat, Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi vendimin për nisjen nga zbatimi të programit të ri për oficerët e sigurisë në shkollat e vendit.
Rama theksoi se “fillimisht ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme të konfirmuara nga komuniteti i mësuesve, prindërve, dhe Policinë e Shtetit në 15 shkolla”.
Tani, tha ai, programi do të shtrihet në 150 shkolla, kryesisht gjimnaze, ku do të fillojnë nga puna menjëherë 150 oficerë sigurie të trajnuar enkas për këtë program.
“Ky është një program, që sikundër na e ka dëshmuar projekti pilot siguron një rritje cilësore të ndërveprimit mes shkollës, familjes dhe Policisë së Shtetit në funksion të mbrojtjes së fëmijëve nga hyrja në kanalet e lëndëve narkotike, por edhe në funksion të parandalimit të fenomeneve të dhunës apo të bulizmit, si dhe në funksion të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga duhani dhe moslënies së orëve të mësimit”, tha rama.
Kryeministri theksoi se “janë një sërë avantazhesh për të cilat çdo prind, çdo shkollë dhe ne të gjithë si shoqëri jemi të interesuar”.
Me këtë projekt, sipas tij, sigurohet një hallkë e munguar, pasi oficeri i sigurisë nuk është një polic, por është një kujdestar dhe një ndërmjetës mes fëmijëve, mësuesve e prindërve.
Po ashtu, sipas tij, ai është edhe një vëzhgues i posaçëm me një trajnim shumë specifik.
Nisur nga rezultatet e projektit pilot, Rama tha se , “ne besojmë shumë që ç’ka kemi parë në këto 15 shkolla të projektit pilot, jo vetëm do të konfirmohet, por do të na japë një bazë të re sigurie dhe rregulli në shkolla”.
“Edhe gjatë takimit të Ministrave të Brendshëm këtu në Tiranë pati interes të posaçëm për këtë program dhe Ministri i Brendshëm i Austrisë jo vetëm u interesua, por shprehu dëshirën që të ketë një bashkëpunim për këtë program. Megjithë buzëqeshjet që kjo shkakton, e vërteta është se problemet në shkolla, sidomos në gjimnaze, janë probleme që nuk janë vetëm shqiptare por i hasin të gjitha vendet. Vendet e pasura hasin gjithnjë e më shumë në shkollë problemin e drogave të forta, që edhe kushtojnë”, tha Rama.
Ndërkohë sipas tij, po punohet edhe për të zbatuar vendimin e heqjes përfundimtare të celularëve nga ambientet e shkollës për nxënësit dhe mësuesit. /a.g/