Diploarkiva – Përpjekjet e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal, 100 vite më parë

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ – Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati publikoi sot disa dokumente lidhur me bashkëpunimin rajonal, i cili mbetet një sfidë aktuale për Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet për të vendosur ura bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit Perëndimor sipas Fondit Arkivor Online të MEPJ-së dhe dokumenteve bashkëngjitur datojnë një shekull më parë, atëherë kur vendet e rajonit sapo kishin dalë nga Lufta e Parë Botërore, dhe Ballkani plotësoi hartën e tij politike me 6 shtete të pavarura, Shqipërinë, Greqinë, Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (më pas u quajt Jugosllavi), Bullgarinë, Rumaninë dhe Turqinë.

Në atë kohë pati përpjekje për një Lokarno Ballkanike, sipas shembullit të Paktit të Lokarnos, në 1925, që zbuti marrëdhëniet franko-gjermane. Kjo ide artikulohet për herë të parë nga ministri i Jashtëm grek Rendis.

Ai thoshte se në fillim shtetet e kënaqura nga paqja e arritur, aleate të Antantës, të lidheshin ndërmjet tyre për të garantuar paqen në Ballkan dhe më pas të ftoheshin edhe shtetet e pakënaqura nga Versaja, si Bullgaria. Kjo ide do të diskutohej në shtator 1925 në takimin më të afërt të Lidhjes së Kombeve. Në Gjenevë diplomatët shqiptarë u udhëzuan të merrnin kontakt me delegacionet ballkanike dhe të bëheshin të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mos mbetej jashtë çdo marrëveshjeje ballkanike. Megjithatë, projekti për krijimin e “Lokarnos Ballkanike” nuk u realizua pasi nuk u arrit të mënjanoheshin kontradiktat kryesore midis vendeve ballkanike dhe të vetë Fuqive të Mëdha, por ideja mbeti e gjallë dhe u rimor në vitet ’30. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.