Pacolli merr pjesë në Samitin e Frankofonisë në Armeni

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ – Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh shefi i Diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, udhëtoi sot pasdite për në Armeni, ku do të marrë pjesë në punimet e ministerialit dhe Samitit të Frankofonisë nga data 8 deri 12 tetor, në kryeqytetin e këtij shteti, Erevan.

Kryediplomati kosovar pritet të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me homologë të tij, me qëllim shqyrtimin e mundësive për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok si dhe prezantimit të kërkesës për mbështetjen e subjektivitetit dhe integrimit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare.

Në ministerial do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare, ndërsa tema e sivjetme e Samitit të XVII të Frankofonisë është “Bashkëjetesa në solidaritet, ndarje të vlerave humanitare dhe respekt për diversitetin: një burim paqeje dhe prosperiteti për komunitetin frankofon”.

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1970, ndërsa ajo përbëhet nga 84 shtete dhe qeveri, nga të cilat 58 janë shtete anëtare dhe 26 janë shtete me status vëzhgues, të cilat bashkë paraqesin një të tretën e shteteve anëtare të OKB-së me një popullsi prej 900 milionë njerëzish, duke përfshirë 274 milionë frëngjishtfolës. /KosovaPress/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.