KQZ trajnon maturantët e Burrelit që votojnë për herë të parë

TIRANË, 8 tetor /ATSH/- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi një trajnim me maturantë që votojnë për herë të parë në Burrel, dhe me gratë e Administratës së bashkisë së Matit.

KQZ në bashkëpunim me Zyrën Arsimore Mat zhvilloi sesion edukimi me maturantë të dy shkollave të mesme të Burrelit, “28 Nëntori” dhe “Pjetër Budi”. Sesioni i edukimit me temë “ Vota, e drejtë kushtetuese dhe detyrim qytetar”, kishte si qëllim informimin dhe sensibizimin e maturantëve, të cilët në zgjedhjet e ardhshme për për organet e qeverisjes vendore do të jenë votues për herë të parë lidhur me rëndësinë e votës së lirë, të fshehtë dhe të pa ndikuar, si edhe për veprat penale që cënojnë procesin zgjedhor.

Përmes simulimit të procesit të votimit, të rinjtë u njohën me procedurat që ndiqen në qendrën e votimit, si edhe me veprimet jo ligjore (fotografimi i votës, votimi familjar) që cënojnë standardet e procesit zgjedhor.
Gjithashtu, Administrata e KQZ-së zhvilloi sesion trajnimi me administratën e bashkisë së Matit, ku e pranishme ishte edhe nënkryetarja e bashkisë, Anjeza Shema. Në fokus të trajnimit ishin detyrat që Kodi Zgjedhor u ngarkon Organeve të Qeverisjes Vendore në administrimin e procesit zgjedhor. Gjatë bashkëbisedimit, administrata e bashkisë Mat shprehu vullnetin për të hartuar dhe publikuar në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor të ekstraktit të përbërësve zgjedhor, caktimin e vendndodhjes së Qendrave të Votimit, si dhe krijimin e kushteve infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore që do të mbahen në vitin 2019.

Pjesë e aktiviteteve edukuese dhe trajnuese të KQZ-së ishte edhe takimi me gratë e “Forumit të gruas” në Burrel, të cilat u sensibilzuan që të mos pranojnë fenomenet negative që cënojnë dhe tjetërsojnë vullnetin e tyre në zgjedhje, siç është votimi familjar, apo veprat e tjera penale që cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Nga ana e tyre, gratë u shprehën se ndihen të papërfaqësuara në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta apo të treta. /o.l/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.