Arrestimi i aktorëve të “Babales”, fillimi i drejtësisë ndaj maskaradave të orkestruara

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot lëshimin e urdhërarresteve ndaj personave të përfshirë në çështjen “Babale”, ndërsa theksoi se “pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar, qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi, që duhet të paguajnë deri në fund”.

“Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë”, tha Kryeministri Rama.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sot masën e arrestit me burg për dëshmitarin X, Albert Veliu, me akuzën e kallëzimit të rremë në bashkëpunim, si edhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Arrest me burg gjithashtu është kërkuar edhe për shtetasin Fredi Alizoti, i cili sipas organit të akuzës është personi që “interpretoi” Agron Xhafajn në telefon.

Ndërsa për gazetarin, Jetmir Olldashi, Prokuroria ka kërkuar masën “detyrim paraqitje” me akuzën e kallëzimit të rremë./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.