Puka dhe komuna Signa e Italisë drejt binjakëzimit

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ – Bashkia e Pukës dhe komuna Signa e Italisë pritet të nënshkruajnë brenda këtij viti marrëveshjen për binjakëzimin mes tyre.

Në kuadër të bashkëpunimit për binjakëzimin e tyre, kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj priti sot drejtues të lartë të komunës mike, të kryesuar nga Gianpiero Fossi, i ngarkuar për ndjekjen e kësaj procedure nga kreu i komunës Signa.

Një bisedë miqësore në zyrën e kryebashkiakut dhe shkëmbimi i dhuratave në mesin e kreut të bashkisë së Pukës dhe përfaqësuesit të komunës Signa i ka paraprirë një takimi mes përfaqësuesve të dy njësive vendore, si dhe grupit të emigrantëve shqiptarë, që kanë negociuar këtë marrëveshje. 

Gjatë takimit Gjonaj duke prezantuar Pukën dhe resurset e saj, tha se bashkëpunimi dhe binjakëzimi i dy njësive vendore në Shqipëri dhe Itali është një mundësi e mirë në shkëmbimet e ndërsjellta.

Fossi duke falënderuar për mikpritjen Gjonajn, theksoi se ishte i lumtur që po ndiqte këtë proces të rëndësishëm binjakëzimi, ndërsa përcolli përshëndetjet e kreut të komunës së Signas.

Ai tha se Puka dhe komuna e përfaqësuar prej tij kishin shumë mundësi bashkëpunimi të ndërsjellta ndaj paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes së binjakëzimit brenda këtij viti, duke e cilësuar këtë një mundësi të mirë për të dy njësitë administrative.

Më tej, kreu i bashkisë së Pukës i njohën miqtë e ardhur me qytetin, resurset e tij, ndërsa pjesë e lëvizjes ishin dhe vizitat në institucione të ndryshme, gjatë të cilave Fossi shprehu habinë për kushtet bashkëkohore që i karakterizonin.

Përfaqësuesit e komunës Signa në Itali dhe negociatorët shqiptarë të binjakëzimit do të qëndrojnë për më shumë se 24 orë në vendin tonë, ndërsa pritet nënshkrimi i marrëveshjes rreth muajit nëntor 2018. /k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.