Mbi 684 mijë të punësuar deri në shtator 2018

TIRANË, 5 tetor /ATSH/- Shqipëria vlerësohet me performancë pozitive edhe në tregun e punës.

“Kemi ulur papunësinë në nivele rekord historike” , tha sot ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, duke shtuar se kemi hapur 234 mijë vende të reja pune, të cilat janë stimuluar nga rritja ekonomike. 

Referuar të dhënave zyrtare ministri i Financave tha se, të punësuarit sipas listë pagesës në shtator 2018 është 684,209 persona.

“Kishim 450 mijë vende pune në shtator të vitit 2013 ndërsa sot kemi 684 mijë të tilla, që do të thotë rreth 234 mijë vende pune të reja”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, industria, energjia turizmi dhe shërbimet janë sektorë që kryesojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, por nuk mbeten pas edhe sektor të tjerë të ekonomisë.

“Mbi bazën e të dhënave zyrtare shkalla e punës për moshën nga 15-63 vjeç është 59.2% ndërsa numri i të punësuarve rritet me 3.3%. Shkalla zyrtare e papunësisë mbi 15 vjeç e lart është 12.3% që do të thotë se është realisht më e ulëta historike”, tha Ahmetaj.

Kreu i Financave u shpreh se, janë 76 mijë qytetarë të regjistruar si të papunë dhe më shumë se kaq mund të jenë në të gjithë Shqipërinë që nuk janë të regjistruar. Por ajo që është fakt, theksoi Ahmetaj, hapëm 234 mijë vende të reja pune duke e rritur punësimin me 52%. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.