Kombëtarja U-21/ Shpallet lista për ndeshjet zyrtare me Spanjën dhe Estoninë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ – Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi ka shpallur sot listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e Kombëtares U-21, në kuadër të ndeshjeve Kualifikuese të Kampionatit Europian 2019, ndaj Spanjës dhe Estonisë.

“Spanjën e njohim mirë dhe dimë si luan. Pavarësisht që u mundëm 3-0 kemi bërë gjëra pozitive. Këtu nuk do të luajmë si në Spanjë, pasi kemi bërë përmirësime. Do të luajmë me një sulmues dhe shpresoj që sezonin tjetër eliminator ta nisim mbarë me këto. Jam i kënaqur nga ndeshjet që kemi zhvilluar deri më tani, por jo nga rezultati. Gjithmonë kemi pasur probleme me formacionin dhe mungesat, megjithatë loja jonë ka qenë e mirë, por që na ka munguar rezultati. Kemi qenë pa fat në marrjen e rezultateve. Herë-herë kemi gabuar. Kemi bërë gabime individuale, por nuk ka qenë aspak një ekip i shthurur. Kjo të bën të ndihesh mirë. Si ekip po funksionojmë shumë mirë, por duhet të përqendrohemi te loja deri në momentin e fundit. Ne krijojmë raste, por në fund fitojnë kundërshtarët”.

Kuqezinjtë e U-21, do të luajnë më datë 11 tetor, ora 19:00 kundër Kombëtares U-21 të Spanjës, ndeshje kjo që do të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në Tiranë. Në ndeshjen e dytë, skuadra nën drejtimin e teknikut Bushi do të luajë në transfertë, ndaj Estonisë, më 16 tetor, ora 18:00, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimin në Kampionatin Europian 2019. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.