Shmangia e abuzimeve, licencat e farmacistëve online

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ – Për të shmangur funksionimin e farmacive nga persona jo të specializuar dhe të palicencuar, përmes bashkëpunimit me “Urdhërin e Farmacistit”, Ministria e Shëndetësisë do të mundësojë informacione dhe të dhëna online mbi farmacistët dhe afatet e licencimit.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se farmacitë do t’i nënshtrohen rregullave të reja, pas ligjit të barnave të miratuara në 2014 dhe akteve nënligjore, rifreskimi i këtyre të fundit do të hyjë në fuqi në janar të 2019.

“Jo të gjithë farmacitë i shkelin rregullat. Ne kemi një rrjet farmacish që në përgjithësi kryejnë një punë të mirë. Ne kemi një ligj të barnave të miratuar në 2014 dhe një paketë aktesh nënligjore dhe jemi duke e rifreskuar atë, që të mundemi të garantojmë për të gjithë ata që tregtojnë barna të kenë të gjitha rregullat e zbatueshme. Rregullat që kemi vendosur padyshim që janë standarde dhe jemi mbështetur në standarde europiane. Rregullorja e re hyn në fuqi në janar 2019”, – tha ministrja Manastirliu.

Manastirliu shpjegoi se përmes bashkëpunimit me “Urdhërin e Farmacistit” do të sigurohet që të dhënat për farmacistët dhe licencimin e tyre të jepen online për të shmangur funksionimin e farmacive nga persona të palicencuar.

“Ne jemi shumë të fokusuar që të ndjekin të gjitha hallkat me të gjitha subjektet që nuk kanë farmacistë të licencuar. Nuk do të ketë tolerancë. Bashkë me Urdhërin e Farmacistëve do të shtojmë bashkëpunimin për të gjithë ato certifikime që Urdhëri do të bëjë, t’i kemi online. Pra të kemi informacion online mbi farmacistin, afatin e licencimin në mënyrë që të sigurojmë që tregu farmaceutik të ketë kushtet e duhura dhe të mos lejojmë të këtë devijim”, – tha ajo.

Sipas ministres, shpërndarja e barnave, tregtimit të tyre, janë në vemendje të Ministrisë pasi ky treg sipas saj, influencon direkt në trajtimin e pacientëve dhe qytetarëve që kanë sëmundje kronike.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.