Rritja ekonomike, Rama-opozitës: Të jetë edhe Banka Botërore jashtë realitetit?

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Pas raportit të fundit të Bankës Botërore e cila konfirmon rritjen ekonomike në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama i drejtohet të gjithë atyre që kundërshtojnë rritjen ekonomike.

Banka Botërore në njoftimin e saj mbi raportin e ekonomisë për rajonin, vendos theksin mbi rritjen e punësimit në Shqipëri falë rritjes ekonomike.

Kjo, tha Rama, ngre pyetjen për të gjithë helmnxjerrësit realë e digjitalë: “Të jetë edhe Banka Botërore jashtë realitetit vallë?”

Banka Botërore konfirmoi sot se rritja ekonomike në Shqipëri pritet të jetë 4% këtë vit, duke sjellë më shumë vende pune. BB thekson se rritja e punësimit ndihmon në uljen e varfërisë në vend, ndërkohë që pritet të zvogëlohet edhe deficiti fiskal dhe borxhi publik. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.