Nis punën shkolla e Drejtorëve, fund emërimeve politike

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/930796387114495/?t=1152

TIRANË, 4 tetor/ASH-Maela Marini/ “Shkolla e Drejtorëve të shkollave është një investim i ri strategjik në rrugën e rilindjes së arsimit parauniversitar”.

Në ceremoninë e çeljes së kësaj shkolle, Kryeministri Edi Rama nënvizoi reformat e ndërmarra në arsim, ndërsa theksoi faktin se “çdo vend zhvillohet dhe ecën para në sajë të  dijes dhe jo në sajë të asaj që ka”.

Kryeministri solli shembullin e Izraelit, një vend që nuk disponon burime ujore, por ka sistemin më ekselent në botë të furnizimit me ujë. Ndërkohë, Shqipëria, tha ai, “zë vendin e dytë në botë për pasuritë ujore, por ndërkohë furnizimin me ujë e pati problemin e vetë më të madh.

Modeli i Izraelit vlen po ashtu edhe për shkollën e drejtorëve, që sipas Ramës, është një praktikë tashmë e konsoliduar në atë vend.

Shkolla e Drejtorëve është një burim dijesh, tha Kryeministri duke siguruar se ajo do të jetë fillimi i një tjetër reforme të rëndësishme në arsim për t’u ndarë nga politika edhe në nivelin e drejtorëve.

“Ne jemi ndarë nga politika në nivelin e mësuesve, por nuk jemi ndarë akoma sa i takon emërimeve të drejtorëve apo nëndrejtorëve”, tha Rama.

Kryeministri Rama vlerësoi ndihmën e vyer të Fondit Shqiptaro-Amerikan, e cila me financimin e Shkollës së Drejtorëve i ka sjellë një vlerë të shtuar vendit. “Kjo jo vetëm për fondin prej 6.2 milionë dollarë që shkon sot për Shkollën e Drejtorëve dhe Qendrën e Shërbimeve Arsimore, por sepse paratë nuk duhen për të ndërtuar mure, apo rrugë e çati, por duhen për të sjellë këtu një dije të sigurt”, tha Rama.

Sipas tij, Fondi ka siguruar ekspertizën më të mirë ndërkombëtare të trajnimeve të drejtorëve të shkollave. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.