Nis në Tiranë Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor: Shqipëria model suksesi për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ – Ka nisur sot në Tiranë Ministeriali ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështjet e Drejtësisë dhe punëve të Brendshme. Takimi i nivelit të lartë është organizuar për të diskutuar mbi forcimin e shtetit të së drejtës dhe eficiencën e sistemeve të drejtësisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një nga kushtet për integrimin e tyre në familjen europiane.

Shqipëria është zgjedhur si vend organizator i këtij eventi, për shkak të vlerësimit që i është bërë nga partnerët ndërkombëtarë Reformës në Drejtësi, që tashmë është duke u zbatuar në vend dhe përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor. Gjatë Ministerialit kjo përvojë e Shqipërisë është trajtuar si një model që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera që kanë probleme me drejtësinë.

Në ditën e parë të Ministerialit, kushtuar çështjeve të Drejtësisë kanë marrë pjesë komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Europian, znj. Vera Jourova, Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Josef Moser, edhe në cilësinë e përfaqësuesit të vendit që ka presidencën e Këshillit të BE, Presidenti i Eurojust, ministrja e Drejtësisë së Bullgarisë si dhe ministrat e vendeve të rajonit, Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë.

Në një postim në rrjetet sociale ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se është hera e parë që një takim i një niveli kaq të lartë zhvillohet në Shqipëri, çka është një vlerësim dhe mbështetje e rëndësishme për rrugën e reformave të thella që ka nisur qeveria dhe rezultateve konkrete që ka arritur./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.