Negociatat me Greqinë, Rama: Marrëveshja rikuperon ato që kemi humbur më parë

TIRANË, 4 tetor /ATSH- I. Vata/ – “Për çështjen e marrëveshjes me Greqinë, Presidenti Meta ka një rol që e ka ndihmuar procesin, i dëshiruar për një marrëveshje pozitive të suksesshme dhe transparente”, – tha Kryeministri Rama, ndërsa shtoi se besojmë te një marrëveshje ku të rikuperojmë ata që humbëm më parë.

Duke folur për marrëveshjen me Greqinë, dhe qëndrimin e Presidenti Meta, Rama tha se ka një shqetësim të ngritur, një grup negociator prej 10 apo 12 veta, nuk është e thënë të ketë konsensues nga të gjithë.

“Ajo që përbën qëllimin, besoj se do të dalim nga kjo negociatë me një marrëveshje ku rikuperojmë atë që kemi humbur në marrëveshjen e mëparshme”, – theksoi ai ai.

Po ashtu Rama tha se “kam besim se në fund do të dalim me sukses, ku do të realizojmë objektivat që kemi pasur. Përsa i përket asaj që tha Presidenti, çështja është se përmbyllja e negociatës në nivel teknik, nuk mund të bëhet vetëm nga kryeministrat dhe sigurisht kryeministrat mund ta mbështesin dhe ta firmosin marrëveshjen. Ka dy palë por është dhe pala tjetër”.

“Për sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ai është një opinion i Presidentit, por Parlamenti është sovran në këtë pikë. Nëse ne do të realizojmë një marrëveshje ne do ta kalojmë në Parlament dhe pastaj Gjykata Kushtetuese vërtetë sot nuk mund të gjykojë, por është e hapur, kush ka pretendime mund të regjistrojë apo ta depozitojë pretendimin, nuk është se humbet afati”, – tha ai.

I pyetur se Presidenti po bllokon një marrëveshje, Rama tha se “Presidenti nuk po bllokon, ai nuk është pengesë. Kam pas komunikim me Presidentin, ai është me të drejtë i fokusuar, i interesuar në çdo detaj, i dëshiruar që të kemi një marrëveshje pozitive dhe të suksesshme nga ana jonë. E kam thanë edhe më parë, ka patur një rol që e ka ndihmuar procesin, duke kërkuar shumë nga pikëpamja e dokumentacionit, ai ka arritur të krijojë  një rekord që nesër pasnesër jo për kritikë, por për historinë, arkivat, transparencën dhe në aspektin kushtetues të ketë gjithçka kushtetuese dhe nuk shoh tendencë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.