FOTO/ Ritme të shpejta në punimet për gazsjellësin TAP

TIRANË, 4 tetor /ATSH/- Ecuria e punimeve për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik, TAP në Shqipëri po ecën me ritme të shpejta dhe brenda afateve të parashikuara që në nisje të projektit.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enis Aliko u shpreh se, gjatë muajve të fundit, TAP nuk ka pasur asnjë kërkesë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, çka nënkupton se ndërtimi i tij po vijon normalisht dhe pa probleme.

“Ne jemi të bindur se kjo pjesë e gazsjellësit do të përfundojë në kohë, nëse jo para afatit”, – tha ai.

Ndërkohë, lidhur me krijimin e ndërmarrjes së përbashkët midis operatorit shqiptar të infrastrukturës së gazit Albgaz dhe atij italian SNAM për mirëmbajtjen e TAP në territorin e Shqipërisë, Aliko tha se do të krijohet sapo të finalizohet marrëveshja e mirëmbajtjes me TAP.

Aktualisht rreth 143 km nga 215 km të gjurmës së gazsjellësit TAP në Shqipëri janë kthyer në gjendjen e mëparshme. Kthimi i tokës në gjendjen e mëparshme kryhet duke zbatuar standardet më të larta ndërkombëtare dhe tashmë toka ka filluar të mbillet përsëri nga fermerët.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigande e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Europë. Gazsjellësi me gjatësi prej rreth 870 km do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.

Gjurma e TAP gjithashtu mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Europës Juglindore.

TAP është projekti që promovon zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai është një investim i madh i drejtpërdrejtë i sipërmarrjes së huaj në vendin tonë. Transporti i parë i gazit drejt Europës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.