Balla: Depozitova në Prokurori kallëzim penal ndaj Lulzim Bashës

TIRANË, 4 tetor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se kishte depozituar në Prokurori kallëzim penal ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për kallëzim të rremë dhe shpërdorim detyre.

Pas depozitimit në kallëzimit në Prokurori, Balla tha për gazetarët se kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë kallëzimin penal në ngarkim të Lulzim Bashës, ndaj të cilit kam renditur një sërë akuzash. “E garantoj opinion publik, sikurse jam shprehur prej ditës së parë, se në këtë betejë të cilën unë, do ta fitoj, jo në interesin tim, por të shqiptarëve”, – tha ai.

Më tej, Balla shtoi se “tani, Lulzim Basha ka detyrën të vijë në Prokurori, sikurse erdha unë dhe të thotë se çfarë provash ka për t’u mbrojtur në kallëzimin penal ndaj tij. Një ndër provat që rëndon ndaj tij është kallëzim i rremë dhe shpërdorimi i detyrës”.

I pyetur nëse e ka thirrur Prokuroria, Balla tha se “kam ardhur këtu të depozitoj disa prova konsistente që justifikon kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse kallëzimi është i rremë, unë mbaj përgjegjësi. Kanë kaluar 120 minuta në Prokurori për depozitimin e provave”.

I pyetur se, a ka qenë në komisariatin e Krujës, Balla tha se kishte deponuar se nuk ka qenë atje dhe kjo është pjesë e kallëzimit.

“Çështja që isha unë në Prokurori është thjesht kallëzimi penal. Me datë 10, nëse Basha kthehet në Shqipëri e pres edhe në Gjykatën e Tiranës edhe për një çështje tjetër. Prokuroria duhet ta thërrasë Bashën sa më shpejt, për të sqaruar opinionin publik”, – tha Balla. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.