Problematika të hasura në arsim, 37 masa ndëshkimore falë denoncimeve në platformë

TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Falë ankesave dhe problematikave të hasura në sistemin arsimor, ku qytetarët i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, janë marrë 37 masa ndëshkimore.

Kjo është bërë e ditur nga ministrja e Arsimit, Spotit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë fjalës së saj të mbajtur në kuadër të 1 viti të lançimit të platformës “Shqipëria që duam”, në të cilën ministrat përkatës përgjigjen brenda 10 ditëve kundrejt çdo problematike.

“Kjo platformë ka mundësuar jo vetëm përmirësimin e shërbimit, por thelbi i bashkëqeverisjes ka bërë të mundur që 480 mijë nxënës dhe 30 mijë mësues sot, nga një ide e ardhur në “Nisma ime” është kthyer në një standard për sistemin arsimor”, – tha ministrja.

Më tej, Nikolla e cilësoi platformën një instrument për të matur edhe performancën e secilit ministër.

“Kjo është një platformë që na shërben të gjithëve dhe ky është një instrument që mat punën tonë përmes kartës së performancës që kemi me Kryeministrin e vendit. Kemi 37 raste ndëshkimore në sistemin arsimor nga të gjitha ankesat në këtë platformë”, – shtoi më tej ajo.

Ndërkaq, sipas ministres, platforma është kthyer në një instrument për të matur edhe punën e drejtorive arsimore, nga ana e Ministrisë.

z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.