Petritsch: BE përkushtim të qartë sa i takon zgjerimit

Petritsch: BE përkushtim të qartë sa i takon zgjerimit

“Ka një përkushtim të qartë nga Brukseli, nga anëtarët e BE-së, sa i takon zgjerimit, që tregon qartë që në 2025 dy vende nga Ballkani Perëndimor do t’i bashkohen BE-së, ku Serbia është një nga ato. Pritet çelja e negociatave dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në qershor 2019”, deklaroi sot ish – i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën Wolfgang Petritsch.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ – “Ka një përkushtim të qartë nga Brukseli, nga anëtarët e BE-së, sa i takon zgjerimit, që tregon qartë që në 2025 dy vende nga Ballkani Perëndimor do t’i bashkohen BE-së, ku Serbia është një nga ato. Pritet çelja e negociatave dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në qershor 2019”, deklaroi sot ish – i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën Wolfgang Petritsch, në konferencën ndërkombëtare me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, organizuar në Tiranë nga ATSH dhe agjencia serbe e lajmeve TANJUG.

Duke vlerësuar organizimin e kësaj konference nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe TANJUG si një mundësi të mirë për të rritur bashkëpunimin, Wolfgang theksoi se, sheh se sa e vështirë është situata në disa vende të tjera.

“E kuptoj qartë pse disa nga anëtarët e BE-së janë të shqetësuar. Ndërkohë që brenda BE-së pyetet nëse po ecën BE në rrugën e duhur, teksa të tjerë flasin dhe pyesin nëse duhet të zgjerohet BE. Ka përkushtim nga këto vende për t’iu afruar BE-së, por jo vepra. Kur flas për ju, flas për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, – u shpreh Petritsch.

Duke folur për rolin e medieve, Petritsch theksoi se “mediet sociale mund të luajnë rol në shpërndarjen apo në dizinformim, kjo është një sfidë në përgjithësi. Mediet sociale kanë një influencë të madhe në publik dhe kjo është një sfidë që mbetet, pra formimi dhe informimi i duhur i publikut. Ato luajnë një rol edhe më të rëndësishëm për të korrektuar informacionin dhe faktet që i përçohen publikut”.

Petritsch u shpreh i sigurtë se, “BE-ja ka problemet e saj ekzistenciale dhe kjo nuk është ekzagjerim. Një gjë vërehet në Ballkanin Perëndimor, tendencat autoritare, që duhet të merren seriozisht. Po punojmë e po luftojmë shumë për të mos i lejuar këto tendenca autoritare për t’u bërë më të forta. Kemi parë reagimin e BE-së sa i takon Polonisë, apo në rastin e Italisë, ku ka një deficit të buxhetit. BE-ja reagon sa herë që ka një problem”.

Petritsch shtoi se, sot situata është ndryshe nga ajo që përballeshim 20 vite më parë.
“Para 20 viteve kishim dy aktorë të jashtëm që dominonin çështjen në mënyrë jo të suksesshme. Pra, kishim Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti i shteteve ka ndryshuar. Tani duhet parë dhe influenca ekonomike e Kinës, Rusia që luan një rol influencues, jo gjithnjë pozitiv, po ashtu kemi Turqinë me përqasjen otomane”, – u shpreh ai.

“Qeveritë, shoqëria civile, media, duhet të shohin se si vendet e rajonit të bëhen pjesë e zgjidhjes, e jo pjesë e problemit. Lajm i mirë është që Greqia e Maqedonia po përpiqen të gjejnë zgjidhje, ashtu si bisedimet mes Kosovës e Serbisë janë pozitive. Ne i mbështesim këto, pasi zgjidhin probleme lokale, që japin një kuadër më të gjerë dhe më të qetë rajonal e që ndikon shumë në ecurinë dhe integrimin në BE”, – tha Petritsch.

Ish- i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën Wolfgang Petritsch theksoi se, duhet të implementohen sa më shpejt këto procedura, se Europa është pranë zgjedhjeve dhe rrezikohet që të ndryshohet qasja e BE-së, pasi pasuesi i Mogherinit vështirë se do të trajtojë çështje të caktuara”.

/gj.m/ /a.f/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.