Milo: Shqiptarët dhe serbët të ndërtojnë së bashku të ardhmen

Milo: Shqiptarët dhe serbët të ndërtojnë së bashku të ardhmen

''Nëse do flasim për perspektivën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke pasur parasysh të gjithë komponentët që përbëjnë shqiptarinë në planin rajonal atëherë çështjet nuk janë një por janë disa. Në aspektin politik çështja më e rëndësishme e imponuar nga historia është çështja e Kosovës'', tha Milo.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018

TIRANË, 3 tetor /ATSH/  A.ALLA /- “Nëse do të flasim për perspektivën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe duke pasur parasysh të gjithë komponentët që përbëjnë shqiptarinë në planin rajonal, atëherë çështjet nuk janë një, por janë disa. Në aspektin politik, çështja më e rëndësishme e imponuar nga historia është çështja e Kosovës”.

Kështu deklaroi sot historiani Paskal Milo, në konferencën ndërkombëtare që u zhvillua në Tiranë me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, të organizuar nga Agjencia Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Ai gjithashtu tha se “në këtë konferencë u fol dhe u reagua për faktin se përse nuk pati përfaqësues të shqiptarëve nga rajoni dhe përgjigja që u dha ishte e drejtë, por nuk e shmang interesin edhe të Shqipërisë për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me gjithë shqiptarët në rajon. Për rrjedhojë çështja e Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet në mënyrë të natyrshme në axhendën e politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Duhet patur parasysh që tashmë Kosova është një shtet i pavarur, është një shtet që ka filluar dhe po negocion me Serbinë prej vitesh dhe pesha e rëndesës në gjetjen e zgjidhjes nuk është në Tiranë, por është në Prishtinë dhe në Beograd”.

Milo vijoi se “Shqipëria veç mund të luajë një rol lehtësues, ndihmues, kontribues, por jo vendimtar. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne që përfaqësojmë botën shqiptare, si në Tiranë, Prishtinë, Tetovë apo edhe në Ulqin. Pra, gjithësecili në vendin e vet duhet që të bëjë një politikë të atillë, që të ndërtojë të ardhmen e vet atje ku jeton dhe banon dhe të marrë në konsideratë të gjithë faktorët që veprojnë në një vend të caktuar ku jetojnë shqiptarë për të ndërtuar urat e bashkëjetesës, të bashkëpunimit dhe të së ardhmes së përbashkët”.

“Zhan Moone kur nisi procesi i ndërtimit europian pas Luftës së Dytë Botërore dhe Robert Shuman lexoi deklaratën e famshme të 9 majit, ai ka një frazë që thotë: ”Europa nuk do ndërtohet e gjitha njëherësh, por hap pas hapi”, ndërkohë Zhan Moone kur përcaktoi mënyrën se si do të ndërtohej Europa dha një frazë: ”Ne duhet ta fillojmë nga më e lehta dhe jo nga më e vështira”. Dhe më e lehta është ekonomia, e cila vuri dhe themelet e Bashkimit Europian. Mendoj që edhe në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ne duhet të kemi në konsideratë dhe të vendosim në plan të parë çfarë na bashkon më tepër aktualisht sot dhe cilat janë intersat që kanë shqiptarët dhe serbët që të jetojnë në paqe, në mirëkuptim dhe të shohin të ardhmen e tyre dhe mundësisht ta ndërtojnë bashkë”, – u shpreh Milo gjatë konferencës.

“Nëse bëjmë një analizë të interesave që kemi do të shmagen shumë keqkuptime dhe do të gjenden shumë emërues të përbashkët për të punuar sëbashku. Ne nuk duhet të prodhojmë më kaq shumë histori dhe as të konsumojmë kaq shumë histori, si kemi bërë deri tani. Ne kemi mbyllur një epokë të historisë, sepse është zgjidhur problemi themelor politik dhe nacional që i ka vendosur serbët dhe shqiptarët për gati një shekull kundër njëri-tjetrit. Kosova është një realitet të cilin, nëse i referohem saktë deklaratave zyrtare të Beogradit, e ka pranuar si një realitet politik, kjo nuk diskutohet. Atëherë, derisa është pranuar si një realitet politik, që ka mbyllur epokë konfliktuale të historisë”, – tha Milo.

Historiani Paskal Milo u shpreh se, “tani të mendojmë të gjithë së bashku si do ecim në rrethana të reja duke e respektuar këtë realitet politik që ekziston dhe në këtë drejtim besoj se të gjithë kemi rënë dakort dhe mbështesim dialogun që ka filluar në Bruksel me ndërmjetësinë e Bashkimit Europian prej disa vitesh. Duke inkurajuar dialogun, ne duhet të gjejmë forma dhe mënyra për ta lehtësuar procesin dhe kur them ne, në radhë të parë mediat, shoqëria civile, shoqëria akademike, pra me pak fjalë të gjitha shpresat e shoqërive respektive për të dhënë kontributin tonë”.

”Deri sot nuk ka shkëmbime universitare midis universiteteve të Serbisë dhe atyre shqiptare. Kur them shkëmbime universitare, e kam fjalën për grupe studentësh që mund të shkojnë të dëgjojnë në Beograd lektorë serbë, sikurse studentë serbë të vijnë në Universitetin e Tiranës apo në universitete të tjera të dëgjojnë lektorë shqiptarë. Kjo do të ishte shumë e rëndësihme për ta njohur njëri-tjetrin”, – u shpreh Milo.

Në fund ai tha se, “sot duhet të bëjmë një kapërcim të madh qytetar, moral, që të mos qëndrojmë shumë në histori, jo ta mohojmë historinë dhe mos ta keqpërdorim atë. Duhet të ndërtojmë ura komunikimi, të qëndrojmë së bashku për të bindur të tjerët se kjo është rruga kryesore për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët për të hequr paragjykimet. Nëse ne nuk e bëjmë këtë, do të mbetemi pengje të së shkuarës. Duhet të shmagim të shkuarën, për të ndërtuar të ardhem tonë të përbashkët. Insistoj, të punojmë me të rinjtë, sepse është shumë e vështirë për të bindur të vjetrit, pasi ka shumë paragjykime. Duhet të punojmë me brezin e ri, sepse për ta është më e lehtë për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të punuar sëbashku, sepse në mendjet e tyre nuk ka paragjykime”, – përfundoi historiani Paskal Milo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.