Miletiç: Serbia ka ndryshuar, zgjodhi rrugën europiane

Miletiç: Serbia ka ndryshuar, zgjodhi rrugën europiane

Serbia për më shumë se 25 vite u akuzua se ishte në rolin e viktimës në marrëdhëniet ndërkombëtare, por kjo ka ndryshuar tashmë, pasi Serbia nuk është më ajo e para 5 viteve, por një Serbi e tolerancës, zhvillimit dhe rrugës europiane. Me këtë parashtrim, presidenti i qendrës për studime të globalizimit në Beograd, Dejan Miletiç nisi fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare ““Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Serbia për më shumë se 25 vite u akuzua se ishte në rolin e viktimës në marrëdhëniet ndërkombëtare, por kjo ka ndryshuar tashmë, pasi Serbia nuk është më ajo e para 5 viteve, por një Serbi e tolerancës, zhvillimit dhe rrugës europiane. Me këtë parashtrim, presidenti i qendrës për studime të globalizimit në Beograd, Dejan Miletiç nisi fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare ““Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, organizuar në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

“Është nder dhe privilegj të jem këtu”, tha ai, duke shtuar se aktiviteti përbën një risi. Duke kërkuar të flasë në serbisht, pasi parafolësit kishin zgjedhur shqipen dhe anglishten, ai shtoi se është shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunim dhe gjuhë të përbashkët për të ecur në BE.

“Përpjekjet për t’u bazuar tek e vërteta, për të kaluar në një mirëkupim më të lartë, janë të rëndësishme pasi ndryshe s’do t’i kuptonim problemet që kemi mes nesh. Ne kemi promovuar qartë rrugën drejt BE-së dhe s’do kthehemi pas. Ne kemi dhe interesat tona kombëtare që kanë rolin e tyre në rajon e politikë. Është e rëndësishme të dëgjojmë dhe t’ju përgjigjemi të gjitha zërave që kërkojnë shpjegim për rrugën tonë”, tha ai.

Sot, nënvizoi Miletiç, Serbia nuk është më ajo e para pesë viteve.
“Është një Serbi e rrugës europiane që i zgjat dorën e pajtimit, por jo me çdo lloj çmimi fqinjëve. Të gjithë duhet të kuptojmë problemet që qëndrojnë mes Shqipërisë e Serbisë dhe sipas të gjitha kërkimeve është vetëm Kosova. Ku është problemi pra? Cili është problemi?”, tha ai.

Miletiç vijoi duke theksuar se ka shkëmbime në ekonomi, mbi 5 milionë euro me Kosovën, ndërsa me Shqipërinë 130 milionë euro.

“Fola shkurtimisht me përfaqësues të BE-së dhe mbërritëm në konkluzionin se zgjidhja e problemeve rajonale duhet të varet nga ne. Pra, ne jemi zgjidhja dhe faji në të njëjtën kohë. Gjatë 100 viteve të shkuara jemi munduar për zgjidhje, tani është koha për të provuar dhe të qenit shok, miq”, tha ai.

“Diskutuam me ambasadorin serb në Shqipëri për të rritur edhe më tej shkëmbimet ekonomike. Por nuk duhet të harrojmë se duhet të ketë shkëmbime kulturore, arsimore etj”, theksoi ai.  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.