TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Janë një numër i konsiderueshëm pensionistësh që kanë marrë zgjidhje duke iu drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, sa i takon problemeve me dokumentacionin për pensionet.
Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në takimin për bashkëqeverisjen, ndërsa theksoi se “kishte kaluar 10 vjet që ky shtetas nuk merrte zgjidhje”.
Por, sipas Kryeministrit, platforma kapërcen të gjitha shkallët menjëherë dhe me një mesazh bëhet lidhja mes qytetarit dhe autoritetit më të lartë të fushës, ku krijohet marrëveshja e bashkëqeverisjes për të zgjidhur problemin, duke vënë mekanizmin në funksion të qytetarit.
I tillë ishte rasti i paraqitur sot në takimin e organizuar në kryeministri, në kuadër të 1-vjetorit të funksionimit të platformës së bashkëqeverisjes.
Lulieta Rocaj nga Vlora iu drejtua platformës në emër të babait të saj, Novruz Sinanaj, lidhur me mospërfitimin e pensionit suplementar si ish-ushtarak, për shkak se nuk gjendej dokumentacioni për periudhën që ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura.
Qendra e Personel Rekrutimit iu drejtua zyrtarisht Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura nga ku u bë e mundur gjetja e dokumentacionit si vijimi me procedurat e mëtejshme për përfitimin e pensionit suplementar nga ana e qytetarit.
Qytetari iu drejtua platformës në datën 11 korrik 2018 duke zgjidhur çështjen në datën 16 korrik 2018.
Duke nënvizuar faktin se shumë pensionistë i janë drejtuar platformës, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “fakti se shumë pensionistë janë ndarë nga kjo botë pa adresuar këtë problem, bën që unë të nxisë vazhdimisht anëtarët e platformës që të kemi një rast nga pensionet në çdo takim për të inkurajuar ata që t’i drejtohen platformës”. /j.p/
