8 muaj në pritje të pasaportës, pajiset 7 ditë pas ankesës në portal

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Platforma e bashkëqeverisjes u vjen në ndihmë edhe shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Pas vonesës prej 8 muajsh për pajisjen me pasaportë biometrike të familjarit të tij, qytetari Reshit Ismaili iu drejtua platformës, duke marrë zgjidhje brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ai iu drejtua platformës më datë 26 prill 2018 dhe mori zgjidhje me datën 3 maj 2018.

Ridvan Ismaili, kishte aplikuar për pajisjen me dokumenta biometrike (pasaportë) në Konsullatën e Përgjithshme të RSh-së në Milano në 21.09.2017 nëpërmjet platformës SHKO.

Deri në datë 26 prill 2018 qytetari nuk kishte marrë zgjidhje për kërkesën e tij.

Përmes kontakteve me Konsullatën në Milano dhe komunikimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për identifikimin e shtetasit, më datë 30 prill 2018 është dërguar pranë Konsullatës së Përgjithshme të RSh-së në Milano shkresa me konfirmimin e gjeneraliteteve të shtetasit, duke përfunduar procedurën e cila kishte zgjatur mbi tetë muaj.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi shpejtësinë me të cilën është reaguar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Pashë datat dhe ka qenë një afat shumë i shkurtër i zgjidhjes për një histori shumë të gjatë. Mesazhi im është se rruga më e shkurtër, më e shpejtë, dhe më e sigurtë për të zgjidhur një hall apo adresuar një problem me zyrat e shërbimeve të shtetit është platforma e bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al, më e shpejta, më e sigurta dhe më e shkurtra për të mobilizuar drejtpërdrejt titullarin e institucionit”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.