Teknologjia e informacionit, platformë online në shqip në ndihmë të shkollave

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ – Mësuesit që japin lëndët e teknologjisë së informacionit dhe nxënësit e pasionuar pas teknologjisë do të kenë përveç librave të dixhitalizuar nga kurrikula e re, edhe një platformë online në shqip të dedikuar për ta.

Teksa teknologjia përparon çdo ditë e më shumë, mësuesve u nevojiten trajnime për të marrë njohuritë për zhvillimet e fundit teknologjike e më pas për t’ua transmetuar nxënësve. Ndaj përgjatë këtij viti shkollor parashikohet të trajnohen 470 mësues që japin këtë lëndë, ndërkohë që nxënësit në këtë platformë kanë video tutoriale dhe mundësi interaktiviteti për çdo informacion që u duhet.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla theksoi se lëndët e integruara të teknologjisë falë kurrikulës së re janë bërë pjesë e shkollës që në klasën e katërt.

“Kompetenca që lidhet me teknologjinë dhe informacionin ka bërë të mundur që të futet në pjesë të kurrikulës që në klasën e 4-ërt. Ndryshe nga më parë, që fillonte në klasën e mëvonshme të formimit në arsimin parauniversitar, pra fillonte në klasën e 7-të, me kurrikulën e re ajo fillon në klasën e katërt.

Për ministren e Arsimit kodimi dhe gjuha e programimit është e ardhmja, ndaj është  marrë vendimi që nxënësit shqiptarë të aftësohen që jo vetëm ta përdorin teknologjinë, por edhe të krijojnë në dobi të shoqërisë.

“Platforma e re, në gjuhën shqipe, është një mundësi dhe një fillim shumë i mirë me të cilën mund të aksesojnë mësuesit, nxënësit e prindërit për të marrë shumë informacione mbi teknologjinë, për të marrë padyshim mësime mbi kodimin dhe gjithçka tjetër, është e nevojshme për t’i ndihmuar ata hap pas hapi në zhvillimin e kompetencave të tjera”, – tha Nikolla.

I pranishëm në këtë lançim të portalit ishte edhe kreu i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff i cili është edhe mbështetësi i kësaj platforme online në ndihmë të sistemit parauniversitar shqiptar.

Platforma mund të aksesohet nga tabletët dhe telefonat, ku komunikimi online ka përparësi ashtu sikurse edhe testet interaktive për të kuptuar masën e njohurive të përftuara. Kjo platformë vjen si bashkëpunim dhe partneritet me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.