Rishikimi i kufijve Kosovë – Serbi, Meta: Do të hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan

TIRANË,2 tetor /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ka mbajtur sot në Universitetin amerikan “John Hopkins”, një ligjëratë ku ka venë theksin se puna në Ballkan është një kapitull ende i papërfunduar. “Ballkani është një “punë” ende e papërfunduar. Ndërhyrja e NATO dhe veçanërisht përfshirja e SHBA-BE, është jetësore për Ballkanin. Shqiptarët janë një faktor i fortë stabilizues në rajon. Faktori shqiptar, katalizator jetik për hapësirën e kufijve të NATO dhe BE në rajon”, – tha fillimisht Meta.

Meta ka folur gjithashtu për temën e “Korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë: “Propozimi më i fundit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është kohë e çuar dëm. Do përbënte çelësin e hapjes së ‘Kutisë së Pandorës’, në kuptimin më të keq të saj. E paimagjinueshme që dialogu Kosovë-Serbi të prodhojë një marrëveshje, e cila do ndryshonte kufijtë sipas vijave etnike. Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të shërbejë si një sinjal zgjimi. NATO, BE dhe SHBA të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Maqedoninë”, – shtoi Meta. Gjithashtu, Presidenti Meta deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të punojnë fort për të ndërtuar “BE e vogël” brenda shoqërive të tyre. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.