Eurobondi, Ahmetaj : Ditë testi për ekonominë dhe financat

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ – Qeveria shqiptare është në prag të finalizimit të një transaksioni të suksesshëm të emetimit të Eurobondit.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj e ka konsideruar ditën e sotme, si ditë testimi lidhur me ekonominë dhe financat, çka sipas tij do të finalizohet me një transaksion të suksesshëm.

“Një ditë e rëndësishme testimi sot për ekonominë dhe financat shqiptare, teksa jemi duke finalizuar një transaksion, në të gjithë pritshmërinë tonë, të suksesshëm, të emetimit të Eurobondit. Tregjet i kanë pritur shumë mirë reformat që ka bërë qeveria Rama në katër vite e disa muaj. Ka një diferencë shumë të madhe në kthesë që ka marrë ekonomia dhe ne besojmë që Eurobondi i sotëm, që do të mbyllet pasdite, do të jetë shumë më i mirë se sa ai i 2015-ës dhe shumë herë më i mirë se sa ai i 2010-ës. Aq më tepër që ky instrument që ne kemi zgjedhur, ndryshe nga dy të parët, është më afatgjatë, që do të thotë që nëse mbështetet, atëherë interesimi i investitorëve tek ekonomia shqiptare është i konsoliduar dhe e mendojnë ekonominë shqiptare afatgjatë në trend pozitiv”, – ka bërë të ditur ministri Ahmetaj.

z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.