Ekonomia zgjeroi fondin e pagave me ritme dyshifrore

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ – Rritja ekonomike ka zgjeruar fondin e pagave me ritme dyshifrore.

Sipas INSTAT, fondi i pagave në sektorin e prodhimit të energjisë shënoi rritje vjetore me 18.9% në tremujorin e dytë të vitit. Ndërsa fondi i pagave u rrit gjithashtu me 14.2% në sektorin e hotelerisë dhe 13.7% në sektorin e ndërtimit.

Ecuria e fondit të pagave sipas sektorëve duket se ka ecur në linjë të drejtë me rritjen e këtyre sektorëve. Performanca pozitive në sektorin elektronergjetik dhe dyfishimi i turistëve këtë, kanë ndikuar pozitivisht në aktivitetin e prodhuesve të energjisë dhe të hoteleve.

Sektori i ndërtimit gjithashtu është futur në një epokë lulëzimi duke bërë që fondi i pagave të vijë në rritje edhe për këtë sektor.

Rritja e fondit të pagave është përkthyer në rritje edhe të të punësuarve.

Punësimi në Shqipëri po përmirësohet dhe vende të reja të punës janë me produktivitet të lartë, që sipas ekspertëve, kërkon edhe kualifikim shumë të mirë. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.